Skenderaj/A do të jetë 18 qershori datë e përkujtimit për të gjithë dëshmorët?

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale May 2, 2022
Updated 2022/05/02 at 6:25 AM

Tash e sa kohë ka nis një dialog ndërmjet shoqatave të dala nga lufta, respektivisht Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Skenderaj, dhe familjeve të dëshmorëve, për të caktuar një datë që do të përfshinte homazhet për të gjithë dëshmorët dhe martirët e vrarë në luftën e Kosovës.

Portali Aktuale nga burimet e veta, është njoftuar se Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve në komunën e Skenderajt ka nisur që 2 muaj këtë dialog, për të harmonizuar qëndrimin e të gjitha familjeve, që kjo komunë të ketë një datë për homazhe.

“Ne kemi qëllim të marrim mendimin e secilës familje në këtë çështje, dhe të pyesim se cila do të ishte data më e përshtatshme për homazhe për të gjithë dëshmorët dhe martirët e komunës sonë”, thotë një burim brenda shoqatës.

Është diskutuar data 18 qershor që është edhe Dita e Çlirimit të Skenderajt, si ditë e mundshme për përkujtime.

Edhe brenda Komunës së Skenderajt ka zëra përkrahës të kësaj date, por autoritetet thonë se kjo çështje u takon familjeve të dëshmorëve që të përcaktohen.

Komuna e Skenderajt ka numër të madh të vrarësh luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë, në periudha dhe data të ndryshme kohore.

Mbetet të shihet nëse familjet e dëshmorëve do të parapëlqenin 18 qershorin si datë e përkujtimit për të gjithë të vrarët e kësaj komune.

Share this Article