Kryetari Hamza nënshkruan memorandum mirëkuptimi me DRC-në

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale May 6, 2022
Updated 2022/05/06 at 10:13 AM

Kryetari i komunës, Bedri Hamza, sot ka pritur në takim drejtoreshën e DRC-së në Kosovë, Kristen Stec, dhe zyrtarin e projektit të DRC-së në Mitrovicë, Agron Deda.Qëllimi i këtij takimi ishte nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në mes të Komunës së Mitrovicës dhe organizatës Këshilli Danez për Refugjatë (DRC), për zbatimin e projektit “Mbështetja për Komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Mitrovicë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Mitrovicës.

Projekti në fjalë synon rritjen e mundësive për zhvillimin socio- ekonomik të komuniteteve pakicë (përfshirë gratë dhe të rinjtë) në Mitrovicë, përmes trajnimeve dhe mbështetjes për fillimin e bizneseve të vogla. Gjithashtu edhe rritjen e integrimit të këtyre komuniteteve, nëpërmjet zhvillimit të mëtejshëm të Qendrës Burimore të komuniteteve në lagjen e romëve dhe rritjen e angazhimit dhe kapacitetit të OJQ-ve lokale.Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, Komuna e Mitrovicës do të ofrojë mbështetje të përgjithshme për DRC-në në zbatimin e aktiviteteve që kontribuojnë në përmirësimin e qasjes ndaj shërbimeve dhe mundësive për individët nga komunitetet dhe grupet e margjinalizuara.

Me këtë rast, kryetari Hamza pasi falënderoi përfaqësuesit e DRC-së për përkrahjen dhe kontributin e tyre, tha se komuna është e gatshme dhe e hapur për të bashkëpunuar në realizimin e projekteve të përbashkëta të cilat do të jenë në shërbim të qytetarëve.

Share this Article