Shasha: Po ndërtohet skena për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale May 11, 2022
Updated 2022/05/11 at 12:52 PM

Drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha, në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ndër shumë tema, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare mes të dyja palëve, shkruan Telegrafi.

Në këtë intervistë, Shasha deklaroi se pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, të dyja palët kanë rënë në qetësi politike dhe se dalëngadalë po ndërtohet skena për arritjen e marrëveshjes finale.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përgjegjësi për përmbylljen e këtij procesi të gjatë, dhe se i njëjti duhet të bëjë kalim nga Kurti opozitar me standard të lartë në raport me Serbinë në burrë-shtetas, i cili e kupton se zgjidhja përfundimtare kërkon kompromis.

“Përgjegjësinë e ka kryeministri Kurti, të cilit qytetarët i kanë besuar. Ai duhet të bëjë tranzicionin, nga ai opozitari që nuk pranon asnjë kompromis dhe që ka standarde të larta, drejt një burrështetasi i cili e kupton se zgjidhja përfundimtare, deshëm apo s’deshëm ne, kërkon kompromis”, pohoi Shasha.

Mes tjerash, ai tha se vijat e kuqe tashmë janë vendosur dhe se çdo gjë që prek sovranitetin e vendit nuk duhet të pranohet.

“Duhet të bëhen kompromise, e kompromis mund të jenë shumë gjëra. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është njëra ndër to”, deklaroi Shasha, duke shtuar se marrëveshja përfundimtare duhet të jetë zgjidhje që e kalon testin evropian.

“Pra, duhet të jetë një zgjidhje që e kalon testin e kohës”.

Shasha komentoi edhe takimin e fundit mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Berlin, duke thënë se është lajm i mirë që për herë të parë palët u ndanë pa pasur konfrontim mes vete.

Ky takim mes liderëve u mbajt me ftesën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz. E sipas Shashës, lajm i mirë është edhe rritja e interesimit të Gjermanisë për dialogun Kosovë-Serbi.

“Është mirë që pati takim mes Kurtit dhe Vuçiqit i cili nuk përfundoi me gjuhë acaruese ndaj njëri-tjetrit, pra nuk pati ndonjë konfrontim mes dy palëve, për herë të parë. Nuk kemi parë ndonjë progres, ndoshta as nuk duhet të presim të ketë kaq shpejtë, por së paku janë vendosur në një diskurs diskutimi normal. Është inkurajuese që po shohim rritje të interesimit të Gjermanisë për dialogun Kosovë-Serbi”.

Tutje, ai tha se për herë të parë në Prishtinë dhe Beograd janë dy liderë që mund ta shtyjnë përpara marrëveshjen përfundimtare.

“Për herë të parë kemi një rrethanë të veçantë e ajo është se po shohim për herë të parë në Prishtinë dhe Beograd që ekzistojnë dy liderë me kapacitet politik të mjaftueshëm legjitim për të shtyrë përpara një marrëveshje mes dy vendeve dhe të cilët përmbushin kërkesat kushtetuese, ligjore për ratifikimin e asaj marrëveshjeje”.

“Është kohë shumë e gjatë që nga fillimi i procesit dialogut. Kjo temë është duke uzurpuar diskursin tonë publik. Asnjëherë më parë yjet nuk janë pozicionuar më mirë për arritjen e një marrëveshje”, përfundoi Shasha. /Telegrafi/

Share this Article