Detaje nga kërcënimi me bombë në UP, Policia: Doli alarm i rrejshëm

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale May 17, 2022
Updated 2022/05/17 at 6:51 PM

Alarmi për bombë në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, që erdhi përmes postës elektronike nga një burim ende i paidentifikuar, rezulton të ketë qenë i rrejshëm, shkruan Express.

Policia e Kosovës ka dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes që shqetësoi UP-në.

Për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative për menaxhimin e mjeteve shpërthyese.

Megjithatë, ka konfirmuar ai për gazetën, alarmi del të jetë i rrejshëm.

“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, informata – alarmi ka rezultuar të jetë i rrejshëm”, ka konfirmuar ai për Gazetën Express.

Gazeta Demokracia ka publikuar edhe e-mailin kërcënues që vinte nga adresa sender@5ymails.com, ku në gjuhën angleze thuhej “Bomba në Hasan Prishtina do të shpërthejë tani”. E-maili kërcënues kishte arritur në adresën rektoarti@uni-pr.edu në ora 13:45.

Rektori i UP-së, Naser Sahiti, për mediat ka folur shkurt lidhur me rastin.

“Administrata (e Universitetit) e ka pranuar një e-mail anonim për një bombë, prandaj policia e kanë rrethuar objektin”, ka thënë ai.

Share this Article