E mërkura vendimtare për Haradinaj dhe Gucatin

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale May 17, 2022
Updated 2022/05/17 at 8:48 AM

Dhomat e Specializuara kanë caktuar shpalljen e aktgjykimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, shkruan Telegrafi.

Sipas DHSK, seanca do të mbahet nesër më 18 maj në orën 10:00.

“Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar që Hysni Gucati e Nasim Haradinaj të dënohen me nga 6 vite burgim dhe nga 100 euro gjobë.

Përmbledhje e aktakuzës

Në aktakuzë parashtrohet se midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm).

Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.

Akuzat përfshijnë dy pika për kryerjen e veprave penale kundër rendit publik, konkretisht pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe 2) dhe katër pika të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administrimit publik. Këto janë frikësimi gjatë procedurës penale (Pika 3), hakmarrja (Pika 4) dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës (Pikat 5 dhe 6).

Share this Article