Thirrja e G7 për dialogun Kosovë-Serbi, deklarata e Sarrazinit për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe betimi i ushtarëve të rinj të FSK-së – top lajmet e javës

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale May 21, 2022
Updated 2022/05/21 at 10:54 AM

Javën që po lëmë pas ministrat e jashtëm të shtatë vendeve më të industrializuara në botë (G7) u kanë bërë thirrje Kosova dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshjen për normalizimin e raporteve, shkruan Telegrafi.

Po javën që po lëmë pas i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin theksoi se qëllimi final i Gjermanisë është që Kosova të jetë si vend i pavarur me të drejta të plota në NATO dhe në Bashkimit Evropian.

Po gjatë kësaj jave vendit iu shtuan edhe 257 ushtarë të rinj, ndërsa në ceremoni u potencua sërish se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri.

G7 kërkon nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog

Ministrat e Jashtëm të grupit të shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7) në fillim të javës që po lëmë pas u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë marrëveshje për normalizimin e raporteve.

“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, të zbatojnë plotësisht dhe pa vonesa të gjitha marrëveshjet e arritura në të kaluarën, dhe të normalizojnë raportet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme, që do t’u lejonte të realizonin perspektivat e tyre respektive evropiane, që do të kontribuonte në stabilitetin rajonal dhe të ishte në dobi të të gjithë qytetarëve të rajonit”, thuhej në deklaratën e përbashkët të ministrave të G7.

G7 ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës, dhe i ka bërë thirrje edhe Serbisë që të bëjë të njëjtën gjë.

“U bëjmë thirrje vendeve të rajonit që të avancojnë reformat e brendshme, veçanërisht për sundimin e ligjit, për të zgjeruar hapësirën e politikës së brendshme, për të përmirësuar mjedisin për shoqëri civile dhe media të pavarura, për të vazhduar përpjekjet e tyre për parandalimin e radikalizmit dhe dhunës, të mbështesin pajtimin dhe të luftojnë kundër dezinformimit të gjenocidit si dhe glorifikimit të krimeve të luftës dhe kriminelëve të dënuar të luftës”, u tha në deklaratë.

Share this Article