Anëtarësimi në Këshill të Evropës – këto janë shtetet që kanë shprehur mbështetjen për Kosovën

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale June 3, 2022
Updated 2022/06/03 at 8:55 AM

Qeveria e Republikës së Kosovës më 12 maj kishte miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, ndërkaq aplikimin për tu bërë pjesë e këtij institucioni ndërkombëtar e kishte dorëzuar po atë ditë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, shkruan Telegrafi.

Aplikimin e Kosovës për tu bërë pjesë e KiE-së e patën konfirmuar për Telegrafin edhe nga ky institucion.

Zëdhënësi i KiE-së, Daniel Holgten përmes një përgjigje me shkrim kishte thënë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti i dërgohet Komitetit të Ministrave.

Qeveria e Kosovës megjithëse nuk është deklaruar shumë rreth asaj se ku ndodhet procesi dhe kur pritet të hyjë në diskutimet e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, shumë vende mike të Kosovës kanë shprehur mbështetjen.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Austria, Finlanda, Zvicra, Letonia, etj kanë shprehur mbështetjen e tyre për anëtarësimin e Kosovës në KiE, ndërsa nga vendet e rajonit edhe Shqipëria, Mali i Zi janë deklaruar pro.

Zëdhënësi i Ambasadës amerikane në Kosovë, Erik Brassil, në një deklaratë për Telegrafin ditë më parë ka thënë se SHBA-të mbesin të përkushtuara për ta mbështetur Kosovën në Këshillin e Evropës.

“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën pasi ajo zë vendin e merituar si një shtet sovran dhe i pavarur përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike – përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Vendimi për anëtarësim në këto programe dhe organizata kërkon pëlqimin dhe miratimin e këtyre institucioneve dhe shteteve të tyre anëtare, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar Brassil.

Share this Article