Skenderaj/Pengohet fillimi i ndërtimit të fabrikës në Polac

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale June 7, 2022
Updated 2022/06/07 at 9:16 AM

Sapo është nisur puna në ndërtimin e fabrikës së industrisë së drurit dhe produkteve të betonit në fshatin Polac, për të cilën u organizua javën e kaluar edhe ceremoni nga Komuna e Skenderajt dhe Kompania Tehno Burimi – pronare e kësaj fabrike, disa banorë kanë penguar fillimin, me pretendime se një projekt i tillë paraqet problem pasi u bllokohet qasja në rrugë, shkruan Aktuale.

Komuna e Skenderajt ka kryer të gjithë detyrimet ligjore të pronës, për çka edhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kishte kthyer ligjshmërinë e vendimit, se të gjithë dokumentet dhe procesi janë në harmoni të plotë.

Kundër ndërtimit të fabrikës, vlera e të cilës është 4 milionë euro investim, publikisht kishin dal përkrahës të Listës Ideal, njëri nga të cilët ka qenë edhe në listën zgjedhore, për anëtar të Kuvendit, Isuf Hoti, i cili pretendon të jetë përfaqësues i banorëve të Polacit, i zgjedhur para më shumë se 5 vite. Edhe në Kryshec, Fatos Gashi, përkrahës i kësaj liste, e cila në asamblenë komunale ka 10 anëtarë, ka shkruar në facebook se është kundër ndërtimit të fabrikës.

Që të dy këta banorë, pretendojnë se fabrika do të jetë gurthyes, një konstatim që bie ndesh me përmbajtjen e kontratës e cila saktëson se do të jetë fabrikë e drurit dhe produkteve të betonit.

Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura, para nënshkrimit të marrëveshjes me Tehno Burimin, kishte mbajtur takim me banorë të Polacit dhe Kryshecit, të cilët i kishte informuar në detaje për këtë projekt, duke i siguruar se fabrika nuk dëmton ambientin, nuk prodhon zhurmë e as ndonjë efekt tjetër negativ.

Share this Article