Arrestimi dhe lirimi i Zafir Berishës, Policia jep detajet

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale June 9, 2022
Updated 2022/06/09 at 10:02 AM

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Zafir Berisha, të mërkurën është arrestuar për “sulm ndaj personit zyrtar”, i cili më pas është liruar në procedurë të rregullt, në Prizren, raporton Telegrafi.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 14:40, në Prizren.

Tutje në raport, thuhet se janë arrestuar dy persona pasi kanë ofenduar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë, dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit kanë ofenduar dhe sulmuar fizikisht zyrtarët policorë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Ndërsa, një gjë të tillë e kishte kundërshtuar vet ish deputeti Berisha, sipas të cilit “nuk ka ndodhur ndonjë sulm apo kërcënim”.

Ai pretendonte se policia prej disa ditësh i kishte shqiptuar dënime vetëm veturës së tij në mënyrë selektive.

“Nuk është e vërtetë se kam penguar ndonjë zyrtar policor, por për disa ditë rresht dikush nga policia para Shoqatës së Veteranëve më vendos tiketë dënimi për parking edhe pse dhjetëra vetura tjera ishin të parkuara më keq se e imja dhe nuk kishin tiketa dënimi”.

Share this Article