Specialja u vazhdon paraburgimin Thaçit e Veselit, refuzon kërkesën për arrest shtëpiak apo lirim në një shtet të tretë

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale June 9, 2022
Updated 2022/06/09 at 2:11 PM

Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim që ish-presidenti Hashim Thaçi, e ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, të qëndrojnë në paraburgim, shkruan Kallxo. com

Në arsyetimin e dhënë, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka konstatuar se ekziston rreziku i ikjes, ndikimit në procedurë e mundësia e shkatërrimit të provave.

“Gjykata refuzon kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore. Urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin”, thuhet në vendimin e Speciales.

Specialja më tej ka vlerësuar se duke pasur parasysh ndikimin dhe autoritetin e Thaçit në të kaluarën, nuk ka garanci që ndaj të njëjtit të caktohet arresti shtëpiak.

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se është konstatuar rreziku që z. Thaçi të arratiset në bazë të ndikimit dhe autoritetit të tij nga pozitat që ai i ka mbajtur në të kaluarën, e që mund t’i përdorë për të kërkuar mbështetjen e ish-vartësve të OVL-UÇK-së e që mund t’i ndihmojnë atij të arratiset, duke siguruar qasje në informata e fonde”, sqarohet në vendim.

Gjyqtari Guillou më tej ka argumentuar se po ashtu ekziston mundësia e shkatërrimit të provave që sipas tij, do të ndikonin në procedurën penal.

“Është përcaktuar rreziku i lartë i frikësimit ose ndërhyrjes për dëshmitarët dhe/ose anëtarët e familjes së tyre nuk mund të zbutet në mënyrë efektive duke u mbështetur vetëm në masat mbrojtëse. Në këtë drejtim, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se heqja e masave mbrojtëse dhe zbulimi i vazhdueshëm i materialeve rrisin më tej rrezikun e pengimit”, përshkruhet më tej.

Share this Article