Policia e plakur e Kosovës!

Lajme Aktuale
Lajme Aktuale June 13, 2022
Updated 2022/06/13 at 10:23 AM

Policët e Kosovës janë më të vjetrit në rajon, ndaj miratimi i ligjit për pensionimin e parakohshëm po shihet si i domosdoshëm nga Sindikata e Policisë së Kosovës, shkruan Indeksonline.

Në Sindikatën e Policisë së Kosovës, thotë se miratimi i këtij ligji po vonohet, pasi premtimet kanë qenë nga muaji mars të finalizohet ky ligj.

Me miratimin e ligjit për pensionimin e parakohshëm, secili zyrtarë policorë që mbush 55 vjet, kalon në pensionim të parakohshëm, derisa pritet të marrë si pension 60 përqind të pagës. Ndërkaq, 528 zyrtarë policorë me sëmundje kronike po detyrohen të dalin në punë.

Kryetari i Sindikatës së PK-së, Imer Zeqiri, ka thënë se ligji për pensionim të parakohshëm është i domosdoshëm dhe duhet që me çdo kusht të procedohet këtë vit.

“Ligji për pensionimin në moshën 55-vjeçare ose të parakohshëm për Policinë e Kosovës është jashtëzakonisht i domosdoshëm dhe ne kemi bërë kërkesë dhe kemi biseduar për këtë çështje me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ajo ka shpreh interesimin që ky ligj të aprovohet dhe të ecet me këtë ligj… Mosha mesatare e Policisë të Kosovës është më e vjetra në rajon, ka arritur moshën 47-vjeçare, d.m.th. moshën mesatare e kemi 47-vjeç që mund të themi që është një moshë e shtyrë për detyrat apo autorizimet policore, të cilat duhet t’i kryejnë, çdo zyrtarë policorë duhet të jetë i përgatitur edhe fizikisht edhe psiqikisht, dhe sa më në moshë të re që është ato obligimet policore i kryen shumë më mirë… Është kërkesë e sindikatës që me çdo kusht këtë vit të procedohet ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, sepse është i domosdoshëm, në një formë të përmirësohet edhe kualiteti dhe mirëqenia e zyrtarëve policor pas pensionimit”, theksoi Zeqiri për KP.

Share this Article