Policia e Kosovës ka realizuar të premten ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, njëri nga Mali i Zi dhe tjetri nga Gjermania, të cilët ishin në kërkim me urdhër-arreste ndërkombëtare të lëshuara nga institucionet e drejtësisë.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 23 tetor 2026, nga Mali i Zi është ekstraduar shtetasi S.M., i cili kërkohej për përfshirje në veprimtari penale.
Pas përfundimit të procedurave ligjore, ai është dorëzuar në Qendrën Korrektuese në Prishtinë për të filluar vuajtjen e dënimit.
Ndërkaq, nga Gjermania është ekstraduar shtetasi E.B., i cili po ashtu kërkohej me urdhër-arrest ndërkombëtar, të lëshuar nga institucionet e drejtësisë.
Pas ekstradimit në Kosovë, E.B. është dorëzuar te njësitet përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për procedura të mëtejshme ligjore.
Ekstradimet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.