Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë sa më shpejt procesin e negociatave.
Në konferencën për media pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Kurti theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet një prioritet strategjik dhe afatgjatë për vendin.
Ai përmendi se ky proces ka mbështetje të gjerë nga qytetarët dhe konsensus ndërpartiak.
Megjithatë, ai vlerësoi se pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk reflekton progresin e arritur, pasi vendi vazhdon të jetë i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.
Kurti rikujtoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para gati katër vjetësh, por deri më tani nuk ka pasur lëvizje konkrete nga shtetet anëtare dhe institucionet evropiane për t’i dhënë Komisionit Evropian mandatin politik për të nisur procesin. “Integrimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik dhe afatgjatë, siç edhe nënvizohet në raport.
Ky përkushtim ka mbështetje të lartë dhe të qëndrueshme të popullsisë dhe gëzon konsensus të gjerë ndërpartiak.
Megjithatë, pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë.
Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur,” deklaroi Kurti.
Duke komentuar gjetjet e raportit, kryeministri foli për ndikimin e bllokadës institucionale në zbatimin e reformave evropiane.
Ai theksoi se bllokada e Kuvendit ka ngadalësuar ritmin e reformave, duke shkaktuar vonesa në ratifikimin e marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe duke lënë një numër ligjesh në pritje të miratimit.
Sipas tij, në disa fusha, progresi gjatë vitit raportues ka qenë më i ngadalshëm krahasuar me vitin paraprak, por kjo nuk nënkupton regres në nivelin e përgatitjes së Kosovës.
Kurti theksoi se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar rënie të nivelit të përgatitjes së vendit në asnjë fushë, ndërsa vlerësimi për disa sektorë është përmirësuar.
Ai përmendi luftën kundër krimit të organizuar, reformën e administratës publike, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistikat, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe lirinë e shprehjes si fusha ku Kosova ka shënuar vlerësim më të mirë sesa një vit më parë.
Kryeministri gjithashtu foli për proceset zgjedhore gjatë periudhës raportuese, duke thënë se zgjedhjet komunale të tetorit 2025, ato parlamentare të dhjetorit 2025 dhe zgjedhjet e qershorit 2026 janë vlerësuar nga Komisioni Evropian si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.