Fundi i jetës së një gruaje shënon fillimin e një jete të ndryshuar për familjet e tyre.
Milihate Cokli, nëna e Erona Coklit, e vrarë nga ish-bashkëshorti në vitin 2024, tregon se kishte kërkuar ndihmë nga institucionet për ta mbrojtur vajzën e saj, por nuk ishte marrë seriozisht.
Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor, pasi ajo kishte raportuar rrezikun që i kanosej, i kujton asaj betejat e saj.
Milihate kujton një rast kur shkoi te vendi ku punonte Erona, pasi ish-partneri i saj nuk e linte të qetë.
Gjatë bisedës, Erona i kishte thënë: “Nënë, ky nuk më lë rehat”.
Milihate thotë se pas këtij incidenti, kishte raportuar në polici se vajza po kërcënohej, por reagimi e kishte zhgënjyer.
Ajo kujton bisedën me një hetuese, e cila e kishte pyetur se çfarë nënë ishte që nuk e lejonte vajzën të vendoste vetë. “Unë si nënë kam kërkuar ndihmë për vajzën time, më bartnin si një leckë”, thotë ajo.
Pas vrasjes, jeta e familjes është ndryshuar përgjithmonë.
Milihate kujdeset për djalin që Erona e la pas, duke thënë: “E kam nipin që e llogaris si djalin tim.
Por, pa buzëqeshjen e Eronës, atmosfera në shtëpi nuk është si më parë”.
Ajo shpreh pakënaqësi për dënimin e ulët, 24 vjet burgim për vrasësin e vajzës së saj, dhe kërkon që institucionet ta ndryshojnë mënyrën se si trajtojnë gratë dhe familjarët që kërkojnë ndihmë. “Nuk duhet të tallen me vajza apo nëna që kërkojnë ndihmë”, thotë ajo.
Kërkesat për mbrojtje dhe përgjegjësi institucionale i përsërit edhe Valdete Osmani, nëna e Marigona Osmanit, e vrarë në vitin 2021. “Nuk dua që vajzat tona të kujtohen vetëm pasi të mos jenë më gjallë.
Dua që ato të mbrohen, të dëgjohen dhe të ndihen të sigurta”, thotë Osmani.
Ajo e kujton çdo ditë vajzën e saj për buzëqeshjen dhe ëndrrat që nuk arriti ti realizonte. “Ajo nuk ka qenë veç një emër në lajme, ka qenë vajza ime”, thotë ajo.
Familja e Marigonës është përballur me kujtimin e rrethanave në të cilat ajo humbi jetën dhe procesin gjyqësor, që ka qenë shumë i vështirë.
Valdete shpreh pengun se tragjedia do të mund të ishte parandaluar, pasi kishin kërkuar ndihmë nga policia para ngjarjes fatkeqe. “Si nanë, është shumë e rëndë të mendosh që ke kërkuar ndihmë dhe prapë ke përfunduar duke e humbur vajzën”, thotë ajo.
Shkëlqim Pajazitajn, vëllai i Donjetës, e ka kaluar periudhën më të rëndë gjatë gjashtë javëve kur familja nuk dinte për fatin e saj.
Trupi i saj, i pajetë, u gjet në dhjetor të vitit 2015, por vrasësi ende nuk dihet.
Ai beson se një reagim më i shpejtë i policisë mund të kishte ndikuar në fatin e Donjetës. “[Po të trajtohej] me më shumë urgjencë në atë kohë, ndoshta do ta kishim sot gjallë Donjetën”, thotë ai.
Pajazitaj thekson se lajmet për vrasje të tjera të grave gjithmonë i rikthejnë në kohë dhe kërkon që institucionet të veprojnë me kohë për të parandaluar tragjedi të tjera.