Në një periudhë të vështirë për këngëtaren e njohur Eli Fara, vajza e saj, Marina, ka vendosur t’i qëndrojë pranë publikisht me një mesazh plot dashuri dhe mbështetje.
Marina ka publikuar në Instagram një fotografi të përbashkët me të ëmën, duke e shoqëruar atë me disa fjalë domethënëse. “Mbaje kokën lart, mbretëresha ime, dhe kurorën drejt”, ka shkruar ajo, duke shtuar më pas: “Mbretëresha ime e bukur”.
Ky dedikim vjen pas zhvillimeve të bujshme që përfshinë këngëtaren, pas publikimit në internet të materialeve private të regjistruara në ambientet e kompozitorit Adrian Hila.
Eli Fara, e cila dha dëshminë e saj edhe në polici, reagoi publikisht duke deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni të regjistrimeve.
Në një qëndrim të gjatë, ajo theksoi se ndihej e lënduar nga cenimi i privatësisë, por nuk kishte asnjë arsye për t’u turpëruar. “Jam e lënduar, por nuk kam arsye të turpërohem”, ishte një nga deklaratat më të forta të artistes, e cila kërkoi ndalimin e shpërndarjes së materialeve dhe bëri të ditur se çështjen do t’ia linte drejtësisë.
Marina kishte tërhequr vëmendje edhe më herët me një postim për besimin te Zoti në momentet e vështira, ndonëse atëherë nuk e kishte lidhur drejtpërdrejt me situatën e nënës së saj.
Këtë herë, megjithatë, mesazhi është i qartë dhe i drejtohet vetë Eli Farës.
Me vetëm pak fjalë, Marina i kujton nënës së saj se, pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, për të ajo mbetet mbretëresha e saj.