Elvana Gjata ka reaguar me një postim në Instagram për situatën e tensionuar në Tiranë, duke bërë thirrje për qetësi dhe protestë pa dhunë.
Artistja shpreh shqetësimin e saj për pamjet e dhunës ndaj të rinjve dhe policisë, si dhe për përplasjet mes shqiptarëve. “Më dhemb në shpirt kur shoh një të ri që dhunohet, një polic që dhunohet, një shqiptar që ngre dorën kundër një shqiptari tjetër”, shkruan ajo.
Ajo i drejtohet politikës dhe udhëheqësve të vendit duke kërkuar që zëri i të rinjve të dëgjohet pa paragjykime dhe përmes një dialogu të vërtetë. “Mos e shkatërroni këtë vend!
Jemi shumë të brishtë për të mbajtur edhe plagët që ia shkaktojmë vetes!”, thekson këngëtarja.
Në fund, ajo i bën thirrje qytetarëve të protestojnë dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, por pa shkatërrime dhe pa dhunë. “Protesto!
Ulërit!
Frymëzo!
Bashkohu në protestë qytetare!
Por, mos shkatërro!
Mos digj!
Mos dhuno!”, përfundon mesazhi i saj, duke theksuar se vendi u përket të gjithëve dhe se rinia meriton një të ardhme më të mirë.
Protestat në Tiranë, që u zhvilluan më 13 dhe 14 tetor, ishin të mbushura me studentë dhe qytetarë që kërkonin reforma në arsim dhe shprehnin pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë.
Tubimet u shoqëruan me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private.