Një nga studentët e Mjekësisë që iu bashkua protestës para Kryeministrisë këtë të premte ishte 20-vjeçari Joni Sinoymeri.
Ai shpalli se është personi me inicialet J.S. që kryeministri Edi Rama e publikoi sot me foto, duke e paraqitur si një individ me precedent për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë protestës, studenti i cili mbante një maskë kirurgjikale, e hoqi atë përpara kamerave dhe, duke iu referuar fotos së publikuar nga kryeministri me mbishkrimin “Student?
Jo!”, tha: “Jam ky këtu”.
Sinoymeri e kundërshtoi mënyrën se si ishte paraqitur publikisht, duke theksuar se është student i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë dhe ka mesatare 10.00. “Jam një nga të arrestuarit, jam student i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.
Nuk e di çfarë legjendash shpik ky.
Meqë na ka quajtur organizata Antifa, dua të tregoj notat, me mesatare 10.00”, u shpreh ai. 20-vjeçari gjithashtu tregoi se ishte shoqëruar në polici të martën e kaluar, ku, sipas tij, u mbajt për rreth 7 orë e gjysmë dhe më pas u la i lirë.
I pyetur nëse do të bëjë denoncim, studenti u shpreh: “Nuk e di a do ta denoncoj, se nuk kam kohë për denoncime të kota.
Nuk kam besim te asgjë.
Te kush ta denoncoj?”.