Arrestohet 19 vjeçari në Bullgari për para të falsifikuara

Policia bullgare ka ndaluar një të ri 19-vjeçar nga Shkupi, H.D., mbi dyshimet se kishte në posedim rreth 100 mijë euro të falsifikuara.

Para hetuesisë, Dardhishta ka deklaruar se nuk ishte në dijeni që paratë ishin të falsifikuara.

Prokuroria ka bërë të ditur se ai kishte hyrë për një periudhë të shkurtër në Turqi, ku kishte veshur një xhaketë, në astarin e së cilës ishin qepur kartëmonedhat e falsifikuara.

Gjatë kontrollit në kufi, ai u duk i shqetësuar, ishte mbështetur fort pas ulëses dhe shikonte drejt tavanit të automjetit.

Pas arrestimit, në telefonin e tij celular u gjetën një numër i konsiderueshëm fotografish të kartëmonedhave të ngjashme të falsifikuara, të realizuara më herët gjatë vitit, ndërsa në disa prej fotografive shfaqej edhe vetë ai.

Avokati i tij kërkoi një masë më të butë sigurie – garanci financiare, duke u mbështetur në faktin se ai nuk kishte precedentë penalë dhe ishte në një moshë të re.

Megjithatë, gjykata vendosi ta mbajë në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar se ai e kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet, si dhe për rrezikun e arratisjes nëse do të zbatohej një masë më e butë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *