Thatësira e gjatë dhe shfrytëzimi i ujit për prodhimin e energjisë elektrike kanë sjellë një rënie të dukshme të nivelit të liqenit të Kukësit, i cili funksionon si rezervuar për hidrocentralin e Fierzës.
Prurjet e Drinit, që tani kanë zbritur nën 80 metra kub ujë në sekondë, ndërsa agregatët vazhdojnë të punojnë, kanë kontribuar në përshpejtimin e uljes së nivelit të liqenit.
Si rezultat, janë shfaqur sërish rrënojat e Kukësit të vjetër në sipërfaqe.
Në horizont, duken ish-qendra e qytetit, monumenti i Zogut të Parë dhe bunari, ndërsa janë zbuluar edhe këmbët e urës së vjetër të Kukësit.
Por tërheqja e ujit sjell pasoja të tjera përveç atyre historike.
Ajo po dëmton gjithashtu habitatin ujor, duke shkaktuar ngordhjen e qindra molusqeve, të cilët kanë mbetur në brigjet e liqenit.
Të dhënat zyrtare të KESH-it ende nuk janë përditësuar, por niveli i ujit vlerësohet të ketë rënë nën kuotën 250 metra, ndërsa prurjet janë shumë më poshtë mesatares vjetore.
Kjo situatë rrit rrezikun e kufizimit ose stakimit të agregatëve të hidrocentralit të Fierzës.
Dalja në sipërfaqe e rrënojave të Kukësit të vjetër është një fenomen i rrallë, por këtë vit ato janë shfaqur dy herë brenda dhjetë muajve.