Kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar për vrasjen e Arlinda Zekajt, Burim Ramadani, propozoi që anëtarët të procedojnë idetë për veprimet që do t’i ndërmarrin deri të mërkurën, për të mundësuar fillimin e punës dhe hartimin e planit të veprimit të premten.
Nënkryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi, shprehu dedikimin e tij për të trajtuar këtë çështje me profesionalizëm dhe përgjegjësi të madhe. “Komisioni Hetimor natyrisht e ka mandatin që të hetojë në detaje dhe profesionalizëm dhe pajtohem me kryesuesin e komisionit që ne si anëtarë të iu qasemi me profesionalizëm këtij fenomeni në radhë të parë e pastaj me theks të veçantë rastit të Arlinda Zekajt.
Për të hetuar, verifikuar në detaje secilin veprim, mosveprim, mospërmbushje të obligimeve ligjore të institucioneve përgjegjëse…
Po shprehi dedikimin dhe përkushtimin tim që do ta trajtojmë me profesionalizëm dhe më përgjegjësi të madhe, të plotë”, tha Rrustemi.
Anëtarja tjetër e Komisionit, Besa Kabashi Ramaj nga PDK, theksoi se përgjegjësia e shtetit nuk fillon kur një grua vritet, por kur ajo kërkon të mbrohet. “Detyra jonë nuk është me zëvendësu drejtësinë, mirëpo ka me qenë shumë me rëndësi me siguruar llogaridhënie institucionale dhe politike mbi bazën e fakteve dhe provave.
Prandaj, edhe pse do t’i dërgojmë deri të mërkurën, do ti dërgojmë në detaje planin e veprimit. Është e rëndësishme që gjithçka të përfundojë saktë, sa më shpejtë…
Përgjegjësia jonë si shtet nuk përfundon te zyrtari që e ka trajtuar rastin, shtrihet dhe te drejtuesit që e kanë pasur detyrimin të sigurojnë funksionimin e shtetit tonë.
Sepse përgjegjësia e shtetit nuk fillon kur një grua vritet, por kur ajo kërkon të mbrohet”, tha Rama.
Deputetja Doarsa Kica Xhelili nga LDK-ja theksoi se obligimi i tyre si anëtarë është të punojnë shumë në kuadër të këtij Komisioni. “E ndjera Arlinda i ka thënë të gjitha që ne sot s’mund t’i themi dhe e jona është të punojmë shumë në këtë komision hetimor”, tha ajo.
Edhe anëtarë të tjerë si Adelina Tërshani dhe Eman Rrahmani u zotuan se do të punojnë drejtë dhe për të mirën e përgjithshme.
Mbledhja e radhës e këtij komisioni është caktuar të mbahet të premten, ku do të diskutohet mbi planin e veprimit dhe u kërkuan raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Punëve të Brendshme për të ndihmuar në qartësimin e veprimeve.