Pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë, si dhe trajtimi i rasteve të dhunës në familje, kanë qenë në qendër të një takimi institucional në Pejë.
Ushtruesja e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj, u takua me ushtruesin e detyrës së drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, major Mirsad Kelmendi, si dhe me shefin e operativës dhe komandantët e pesë stacioneve policore në Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, në këtë takim u diskutua për sigurinë publike, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe trajtimin me prioritet të rasteve të ndjeshme, veçanërisht atyre që përfshijnë viktimat e dhunës në familje dhe të miturit.
Gjatë diskutimeve, Disha-Haxhosaj kërkoi nga zinxhiri komandues i Policisë rritjen e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj zyrtarëve policorë gjatë trajtimit të rasteve.
Ajo theksoi nevojën për një qasje profesionale dhe përgjegjësi në përputhje me procedurat ligjore, si dhe kërkoi reagim të shpejtë dhe koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve për mbrojtjen e viktimave. “Ka kërkuar vigjilencë, përkushtim dhe vëmendje të shtuar në trajtimin e rasteve që përfshijnë viktimat e dhunës në familje dhe të miturit”, u shpreh Prokuroria.
Ky takim vjen në një kohë kur rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt ka ngritur shumë pikëpyetje për mënyrën se si institucionet trajtuan raportimet dhe kërkesat e saj për mbrojtje para se të ndodhte tragjedia në Vitomiricë.
Pas këtij rasti, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte pezulluar nga detyra kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit, Arlinda Nallbani-Gacaferri, ndërsa Valbona Disha-Haxhosaj u emërua ushtruese e detyrës së kryeprokurores.