Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku u takua me prokurorët e kësaj prokurorie për të diskutuar mbi funksionimin e institucionit, trajtimin e rasteve penale dhe sfidat me të cilat përballen.
Në këtë vizitë, Gashi ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeprokurori i Shtetit, Bahri Hyseni, prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Koordinatori Nacional për Rastet e Dhunës në Familje, Ersan Qavolli, si dhe drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi.
Gjatë takimit, Kryeprokurori Gashi theksoi se çdo rast penal duhet të trajtohet me seriozitet, përgjegjësi dhe ndjeshmëri, duke marrë parasysh natyrën, peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale.
Ai kërkoi që në secilin rast të ndërmerren procedura të nevojshme. “Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, së bashku me Zëvendëskryeprokurorin e Shtetit, z.
Bahri Hyseni, prokurorin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.
Ersan Qavolli, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.
Sami Istrefi, ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë Themelore në Pejë.
Gjatë takimit me prokurorët e kësaj prokurorie, Kryeprokurori i Shtetit ka theksuar se çdo rast penal duhet të trajtohet me seriozitetin, përgjegjësinë dhe ndjeshmërinë e duhur, duke marrë parasysh natyrën, peshën dhe rrezikshmërinë e veprës penale, si dhe të ndërmerren veprimet e nevojshme procedurale.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me ç’rast Kryeprokurori Gashi ka kërkuar vigjilencë, kujdes dhe profesionalizëm institucional në të gjitha këto raste, duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të rrezikut, reagimit në kohë dhe mbrojtjes efektive të të drejtave të viktimave në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Kryeprokurori Gashi njoftoi prokurorët e Prokurorisë Themelore në Pejë për themelimin e mekanizmave në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim përmirësimin e cilësisë së punës brenda institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe mbrojtjen e integritetit dhe dinjitetit të prokurorëve.
Ai gjithashtu përmendi caktimin e prokurorëve mbikëqyrës nëpër prokuroritë e vendit, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore në Pejë.