Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë panelit “Rezistenca si imperativ për të gjithë shoqërinë” në Samitin për Rezistencën në Rajnën Veriore-Vestfali, në Dyseldorf, theksoi se Maqedonia nuk ka arritur ende të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian për shkak të çështjeve artificiale.
Ai shpjegoi se aktualisht vendi po përballet me një kërkesë që e cilëson si artificiale nga një vend anëtar i BE-së, duke e parë këtë si një kërcënim për vetë integritetin e Bashkimit Evropian. “Në Dyseldorf mora pjesë në Samitin kushtuar rezistencës në Rajnën Veriore-Vestfali, ku në panelin „Rezistenca si imperativ për të gjithë shoqërinë“ theksova se Maqedonia prej 15 vitesh nuk është anëtare e BE-së për shkak të çështjeve artificiale.
Tani po përballemi me një kërkesë artificiale nga një vend anëtar i BE-së dhe kjo mund të shihet edhe si cenim i rezistencës së BE-së.
Kur ekziston një boshllëk i tillë në sistem, atëherë bëhet fjalë për cenueshmëri të sistemit.
Jo gjithmonë rrënimi i sistemit shkaktohet nga armët, por edhe nga burime të tjera.
Prandaj nevojitet një veprim i fuqishëm i BE-së, kur një vend kandidat përballet me çështje të shekullit të kaluar, të ngritura nga një vend anëtar i BE-së,” publikoi Mickoski në profilin e tij në Facebook.
Ai vazhdoi të theksojë se anëtarësimi në BE do të thotë ndryshim përmes shtimit të vlerave dhe jo ndryshim të identitetit. “Ne e filluam këtë rrugëtim para 26 vitesh, madje edhe para Kroacisë, e cila tani është vend anëtar i BE-së.
Ne luftojmë për të drejtat tona, jemi pjesë e NATO-s, jemi plotësisht të harmonizuar me politikën e jashtme të BE-së, e mbrojmë BE-në nga migrimi i paligjshëm nga vendet anëtare të BE-së dhe kështu do të vazhdojmë,” theksoi Mickoski.