Progresi i Kosovës në Raportin e Komisionit Evropian 2026

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2026, i publikuar më 4 nëntor, e konfirmon progresin e arritur në fushat që bien nën përgjegjësinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe agjencive të saj.

Sipas një njoftimi për media nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ndër arritjet kryesore, Raporti veçon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor përmes zgjerimit të bashkëpunimit me Europol-in, rrjetin SIENA dhe platformën EMPACT.

Po ashtu, është evidentuar avancimi i modelit të policimit të udhëhequr nga inteligjenca, përmirësimi i rezultateve në luftën kundër krimit të organizuar, si dhe progresi në luftimin e terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm. “Po ashtu, raporti konstaton uljen e numrit të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.

Raporti vlerëson edhe profesionalizimin e mëtejshëm të Policisë së Kosovës, duke veçuar diplomimin e gjeneratës së re të kadetëve dhe avancimin e sistemeve të trajnimit”, theksohet në njoftim.

Në vijim, njoftimi thekson se MPB-ja mbetet e përkushtuar në zbatimin e rekomandimeve të dala nga Raporti, përmes miratimit të dokumenteve strategjike dhe politikave në fushat përkatëse.

Këto përfshijnë Strategjinë e Migracionit 2026–2030, Planin e Kontigjencës për Menaxhimin e Fluksit të Mundshëm të Migrantëve, Refugjatëve dhe Aplikuesve për Mbrojtje Ndërkombëtare 2026–2028, Strategjinë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit dhe Strategjinë Kundër Krimit të Organizuar, si dhe themelimin e Qendrës Kombëtare për Luftimin e Terrorizmit dhe Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *