Këtë të enjte, një grup të rinjsh, përfaqësues të studentëve protestues, kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese ankesën e tyre në lidhje me tre VKM të qeverisë që i pengon ata të grumbullohen dhe të protestojnë.
Gjatë një komunikimi për media, ata shprehen se kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohet zbatimi i këtyre dispozitave.
Sipas të rinjve protestues, këto tri akte të ndryshme kanë një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit duhet të ketë frikë. “Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat.
Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, por paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë”, tha njëri nga studentët.
Ndërsa një studente tjetër theksoi se protestimi nuk është faj dhe se ata që protestojnë nuk mund të trajtohen si armiq. “Kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi.
I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim.
Edhe nëse Kuvendi miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt; i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues.
Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim dhe pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë dhe frikë.
Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik”, u shpreh ajo.