Kryetari i LSDM-së, Venko Filipce, sot ndau në rrjetet sociale procesverbalin e seancës së Qeverisë, e cila u mbajt më 23 shtator 2025.
Në këtë seancë, u diskutuan çështjet që lidhen me ofertën e bankës serbe Alta për blerjen e aksioneve në 16 institucione publike.
Sipas Filipçes, procesverbali tregon se Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ishte informuar për procedurën dhe përfundimet e propozuara lidhur me ofertën e bankës.
Kjo ndodhi pas deklaratës së Ministres së Financave, e cila theksoi se nuk ishte konsultuar nga Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, për hyrjen e Alta Bankës në tregun e vendit dhe blerjen e “Stopanska Banka Bitola”.
Filipce kërkoi dorëheqjen e ministres, si edhe hapjen e një hetimi nga Prokuroria Publike ndaj saj dhe kryeministrit Hristijan Mickoski.
Në të njëjtën kohë, ai kërkoi përfshirjen e Prokurorisë Publike Evropiane për të mbikëqyrur rrjedhën financiare që lidhet me “Alta Bankën”. “Gordana Dimitrieska-Koçoska duhet të japë dorëheqjen, ajo po gënjen për Alta Bankën!
Prokuroria Publike duhet të hapë menjëherë një hetim si për Hristijan Mickoskin ashtu edhe për Koçoskën, ndërsa Prokuroria Publike Evropiane duhet të përfshihet gjithashtu për të kontrolluar rrjedhën e të gjitha parave për Alta Bankën”, shkroi ai në Facebook.