Driton Sulejmani nga koalicioni VLEN, gjatë emisionit “Debat në Shenja”, diskutoi zhvillimet politike pas zgjedhjeve në Bërvenicë, duke theksuar se populli ka dhënë verdiktin e tij dhe se në këtë rast ka fituar demografia.
Ai theksoi se rezultati zgjedhor nuk duhet të interpretohet në një kontekst tjetër politik, pasi gjatë fushatës janë diskutuar tema që nuk lidhen me pushtetin lokal.
Sulejmani kritikoi BDI-në për diskutimin e temave kombëtare gjatë zgjedhjeve lokale, duke i cilësuar si përpjekje për manipulim politik. “Kur BDI nxit tema kombëtare, bën manipulim.
Nuk janë zgjedhjet lokale për tema kombëtare, ato janë zgjedhjet parlamentare”, shprehu ai.
Ai gjithashtu iu përgjigj kritikave ndaj VLEN-it për destruktivitet, duke theksuar se politikat konstruktive të koalicionit kanë mundësuar sigurimin e një komune më shumë për BDI-në. “Për shkak të politikave konstruktive të VLEN-it, ju sot keni një komunë më shumë.
Dhe tani na akuzoni për destruktivitet”, shtoi ai.
Duke folur për zhvillimet pas zgjedhjeve lokale të vitit 2025, Sulejmani përmendi se Haqim Ramadani ka hequr dorë nga simbolet partiake, ndryshe nga Arkin Jahiu.
Ai theksoi se kandidati i VLEN-it ka shkuar për ta uruar dhe për t’i ofruar mbështetje.
Në lidhje me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski, Sulejmani vlerësoi se ato mund të jenë pjesë e folklorit parazgjedhor dhe paszgjedhor.
Ai theksoi gjithashtu se qeverisja nuk është ndërtuar për një komunë të vetme dhe se zhvillimet në nivel lokal nuk ndikojnë në raportet mes partnerëve qeveritarë. “Qeveria nuk është përpiluar për një komunë.
Ngjarjet në komunë nuk i prishin raportet”, përfundoi Sulejmani.