Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka përshëndetur bashkëpunimin e Prokurorisë Speciale të Kosovës me autoritetet suedeze në një rast penal që ka të bëjë me luftimin e trafikimit të narkotikëve dhe pastrimit të parave.
Në një njoftim, është theksuar se si rezultat i veprimeve hetimore nga Prokuroria Speciale, është arritur të arrestohet një person me inicialet A.G. dhe t’i konfiskohen pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme. “Ky rast ka marrë epilog gjyqësor në shtetin suedez dhe përbën precedentin e parë që shteti suedez ka arritur të sekuestrojë pasuri jashtë juridiksionit të vet territorial,” është shprehur njoftimi.
Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila operon brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, do të bashkëpunojë me autoritetet suedeze për të ndërmarrë hapa të mëtejshëm në ekzekutimin përfundimtar të pasurive të konfiskuara në Kosovë, bazuar në vendimin e plotfuqishëm të autoriteteve suedeze.
Ky rast paraqet një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, sidomos në lidhje me konfiskimin e aseteve të fituara nga veprat penale, pa marrë parasysh se ku ndodhen ato.
Institucioni i Prokurorit të Shtetit mbetet i angazhuar për të thelluar bashkëpunimin me vendet partnere në luftën ndaj të gjitha formave të kriminalitetit me element ndërkombëtar.