Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur urimet e saj për gjeneratën e 63-të të Policisë së Kosovës, e cila diplomoi sot.
Ajo theksoi rëndësinë e profesionalizmit, integritetit dhe respektimit të ligjit në ushtrimin e detyrës policore.
Gjatë ceremonisë së diplomimit, Haxhiu theksoi se të diplomuarit po marrin përsipër një nga përgjegjësitë më të rëndësishme ndaj Republikës së Kosovës, mbrojtjen e sigurisë, jetës dhe të drejtave të qytetarëve. “Ju po hyni në një institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re.
Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur vendi ynë po niste të ndërtonte institucionet e veta.
Nga një shërbim policor i sapo krijuar, ajo u zhvillua në një institucion profesional të Republikës së Kosovës, duke marrë përsipër përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha për rendin dhe sigurinë, e më pas edhe për mbrojtjen e sovranitetit të vendit”, theksoi ajo.
Ajo rikujtoi sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke përmendur emrat e Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut.
Haxhiu theksoi se guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun, por edhe në veprimin e drejtë, mosshpërdorimin e autoritetit dhe mbrojtjen e ligjit pa dallim.
Ajo veçoi gjithashtu pjesëmarrjen e grave në këtë gjeneratë, duke bërë të ditur se mes të diplomuarve janë 118 vajza dhe gra.
Në këtë rast, Haxhiu theksoi rëndësinë e përgjegjësisë së Policisë në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, duke kërkuar që denoncimet të merren seriozisht dhe masat mbrojtëse të ndërmerren me kohë. “Në mesin tuaj sot janë 118 vajza dhe gra që kanë zgjedhur t’i shërbejnë vendit përmes Policisë së Kosovës.
Dua t’ju përgëzoj veçanërisht për këtë zgjedhje.
Prania e më shumë grave në institucionet e sigurisë është një zhvillim i rëndësishëm për vendin tonë.
Por, derisa gjithnjë e më shumë gra po marrin përgjegjësi për sigurinë e të tjerëve, shumë gra të tjera vazhdojnë të jetojnë nën kërcënimin e dhunës, madje fatkeqësisht edhe brenda shtëpive të tyre”, pohoi Haxhiu.
Sipas saj, Kosova ka nevojë për një polici të fuqishme, profesionale dhe të pajisur me teknologji bashkëkohore, për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, përfshirë krimin kibernetik, krimin e organizuar dhe trafikimin me qenie njerëzore.
Kryetarja e Kuvendit siguroi se fuqizimi i institucioneve të sigurisë, përmirësimi i kushteve të punës dhe mbikëqyrja demokratike do të vazhdojnë të jenë pjesë e përgjegjësive institucionale.