Gjykata e Breshias në Itali ka konfirmuar ndalimin dhe ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin E.Xh, i akuzuar për vrasjen e nënës së tij, 39-vjeçares M.L.
Megjithatë, ai nuk ndodhet aktualisht në qeli, por është i shtruar në Spitalin Civil të Breshias, nën mbikëqyrjen e forcave të policisë.
Sipas mediave italiane, kjo masë është vendosur për ta mbrojtur atë nga rreziku i veprimeve vetëdëmtuese.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Chiari, në provincën e Breshias më 3 nëntor, kur Xhani vetë iu dorëzua një kazermë të karabinierëve në Kremona, duke deklaruar se kishte vrarë nënën e tij një natë më parë.
Pas verifikimeve, autoritetet gjetën trupin e pajetë të 39-vjeçares në banesën ku ajo jetonte me të birin.
Gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari i hetimeve paraprake, Mauroernesto Macca, në repartin e Neuropsikiatrisë, 21-vjeçari rrëfeu se mbrëmjen e 2 nëntorit kishte menduar t’i jepte fund jetës.
Ai tha se nuk kishte gjetur vendin e tij në një botë që e konsideronte “të padrejtë dhe të keqe”.
Pasi tentativa për vetëvrasje dështoi, ai dyshohet se e goditi nënën e tij rreth dhjetë herë në pjesën e kraharorit dhe të barkut.
Pas ngjarjes, ai u largua me automjetin e tij Audi A1 dhe rreth orës 07:00 të mëngjesit të ditës pasuese iu paraqit në kazermën e karabinierëve.
Të premten, më 6 nëntor, është kryer autopsia në trupin e 39-vjeçares Meleqe Lusha, e cila pritet të përcaktojë numrin e saktë të plagëve të shkaktuara.
Gjatë dëshmisë para gjyqtarit, 21-vjeçari nuk arriti të japë një shpjegim të qartë për arsyet që e çuan drejt vrasjes së nënës së tij.
Sipas informacioneve të publikuara deri tani, mes tyre nuk kishte pasur konflikte apo tensione të mëparshme.
E.Xh ka lindur në Itali në një familje me origjinë shqiptare dhe kishte jetuar me nënën në Chiari pas ndarjes së saj nga babai i tij.
Më herët, ai kishte punuar si murator në një kompani me xhaxhain, dhe më pas kishte gjetur punë në një restorant të ushqimit të shpejtë në Rovato.
Gjendja e tij psikologjike pritet të jetë pjesë e ekspertizave gjatë procesit gjyqësor, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë vazhdojnë.