Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) do të kërkojë përgjegjësi politike dhe penale për marrjen në pronësi të ish-Bankës Ekonomike të Manastirit nga banka serbe „Alta Banka“.
Kështu ka deklaruar nënkryetarja e partisë, Arta Bilalli Zendeli, gjatë një interviste për emisionin „Triling“.
Ajo vlerësoi se ky rast nuk duhet të trajtohet vetëm nëpërmjet një seance mbikëqyrëse në Kuvend, por duhet të hetohet gjithashtu nga Prokuroria, Policia Financiare dhe institucionet e tjera përkatëse. “Unë, si juriste dhe si specialiste e së drejtës penale, mendoj se mbikëqyrja e këtij rasti duhet të shkojë përtej seancave mbikëqyrëse.
Ne kemi gjykata, prokurori dhe Polici Financiare, të cilat duhet ta verifikojnë rastin dhe të zhvillojnë procedurë”, deklaroi Bilalli Zendeli.
E pyetur nëse BDI do të kërkojë përgjegjësi politike dhe penale, ajo u përgjigj afirmativisht.
Kërkesat e saj vijnë pas vendosjes së administrimit të përkohshëm në „Alta Banka“ SHA Manastir, pasi pronari shumicë i saj, „Alta Banka“ SHA Beograd, iu revokua licenca për punë në Serbi.
Bilalli Zendeli theksoi se institucionet kompetente duhet të japin përgjigje se si është miratuar transaksioni përmes të cilit banka serbe u bë pronare shumicë e bankës në Manastir.
Ajo përmendi guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, kryetaren e Komisionit për Letra me Vlerë dhe Qeverinë e udhëhequr nga OBRM-PDUKM dhe VLEN-i, si aktorë institucionalë dhe politikë nga të cilët pret përgjegjësi.
Sipas saj, marrja në pronësi nuk mund të ishte realizuar pa dijeninë dhe mbështetjen e strukturave më të larta shtetërore.
Ajo e lidhi hyrjen e bankës serbe në tregun maqedonas me atë që e cilësoi si aleancë politike mes Viktor Orbanit, Aleksandar Vuçiqit dhe Hristijan Mickoskit.