Sot në Prishtinë është duke u mbajtur një protestë për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn, e cila humbi jetën në Pejë nga ish-kunati i saj.
Protesta ka filluar në orën 12:00, nga katedralja “Nënë Tereza”, dhe organizatorët i kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në këtë iniciativë për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe masa urgjente për të luftuar vrasjet e grave.
Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist.
Gjatë marshit, protestuesit po kërkojnë drejtësi për Arlindën duke mbajtur pankartën “Gjumi s’ka me ju marr”, ndërsa brohorasin me thirrje si “Nuk ka paqe me sigurinë e grave”, “Poshtë Prokuroria patriarkale”, “Sot Arlinda, nesër kush”, “Për gratë shtatë ditë është luftë”, dhe “A duhet me u vra për me u marr seriozisht”.
Kolektivi Për Mendim dhe Veprim Feminist, në këtë protestë që filloi sot në ora 12:00, ka paraqitur gjithsej 6 kërkesa për të kërkuar drejtësi për Arlindën, përfshirë edhe legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje për gratë.