Shkrimtari dhe publicisti shqiptar, Ben Blushi, ka reaguar ndaj debatit të fundit në Shqipëri mbi pretendimet se hebrenjtë mund të vendosen në këtë vend.
Ai i ka klasifikuar këto pretendime si teori konspirative që nxisin nacionalizmin dhe mosbesimin ndaj popujve të tjerë.
Në një postim në rrjetet sociale, Blushi shprehet se pretendimet që hebrenjtë kanë vendosur të largohen nga Izraeli dhe të vendosen në Shqipëri nuk janë të vërteta, dhe i sheh ato si pjesë e një klime që krijon frikë dhe dobëson besimin e shqiptarëve te vetja e tyre.
Sipas tij, kur një popull humb besimin te vetja, shpesh e kërkon fajin te një tjetër popull, ndërsa krijimi i një armiku imagjinar shërben për të ushqyer nacionalizmin. “Kjo quhet nacionalizmi low cost.
Me kosto të lirë”, ka shkruar ai, duke theksuar se këto narrativë mund të ndikojnë edhe në zhvillimet politike dhe rotacionin e pushtetit.
Blushi ka përmendur gjithashtu se para themelimit të Izraelit në vitin 1948, kishte pasur propozime për krijimin e një shteti hebre në vende të ndryshme, përfshirë Shqipërinë.
Ai e përmend gazetarin anglez me origjinë hebreje, Leo Elton, i cili në vitin 1935 kishte propozuar që Shqipëria të bëhej vendi ku do të krijohej shteti hebre.
Plani parashikonte vendosjen e rreth tre milionë hebrenjve në Shqipëri, e cila atëherë kishte rreth 800 mijë banorë, por kjo ide nuk u mor parasysh.
Blushi pretendon se propozimi i Eltonit ndikoi në zhvillimet politike të asaj kohe, duke kontribuar në rrëzimin e një qeverie dhe ngritjen e një tjetër, përmes asaj që ai e përshkruan si funksionim të një konspiracioni.
Ai ka trajtuar këtë histori edhe në romanin e tij të fundit, “Historitë e Çmendura të Tiranës”, në kapitullin me titull “Plani Çifut për ta bërë Tiranën Jerusalem”, në faqen 245.