Dëshmitarja e propozuar nga mbrojtja e Endrit Nikës, doktoresha Blerina Gashi, e cila kishte dërguar viktimën Maria Clara Urdangaray në QKUK, tha se argjentinasja pas rënies nga kati i gjashtë i hotelit në Fushë Kosovë, ishte e vetëdijshme dhe komunikonte me ekipin mjekësor në autoambulancë.\n\nDuke dëshmuar në seancën e rigjykimit ndaj Endrit Nikës, Gashi, e cila punon në QKMF-në e Fushë-Kosovës dhe kishte qenë pjesë e ekipit që e kishte marrë pacienten me autoambulancë, tha se gjatë transportit kishte komunikuar me të në gjuhën angleze.\n\nAjo po ashtu tha se e kishte pyetur të njëjtën se a ka rënë vetë nga kati i gjashtë apo e ka shtyrë dikush.
Gashi tregoi për natën e 1 gushtit të vitit 2023, prej kur kishte pranuar telefonatën. “Kam qenë kujdestare, është marrë thirrja që dikush ka rënë nga kati i gjashtë, kemi shkuar.
Pacientja ka qenë e vetëdijshme, e lëvizshme dhe ka komunikuar.
E kemi marrë në autoambulancë.
Gjatë kohës që kemi qenë në autoambulancë rrugët e frymëmarrjes i ka pasur të lira.
Nuk ka pasur fraktura të jashtme që janë vërejtur, kemi vendosur terapinë në autoambulancë edhe gjatë tërë rrugës kemi biseduar me pacienten në gjuhën angleze”, tha ajo.\n\nE pyetur nëse e kishte pyetur pacienten nëse ishte hedhur vetë apo nëse dikush e kishte shtyrë, dëshmitarja tha se ajo ishte përgjigjur negativisht në të dyja pyetjet. “Emri, mbiemri çfarë moshe ka, a ka tentuar me u hedh vetë apo e ka shtyrë dikush.
Dy përgjigjet e saj kanë qenë jo”, tha ajo.\n\nPyetje për dëshmitaren kishte edhe babai i viktimës, Facundo Urdangaray.
Ai pyeti se a mund të shkaktohet konfuzion për një person që bie nga një lartësi e tillë. “Një person që bie nga një lartësi e tillë a mund t’i shkaktojë konfuzion gjendja shëndetësore për t’u përgjigjur”, pyeti ai.
Doktoresha tha se Clara ka qenë e vetëdijshme edhe në QKUK. “Kjo është individuale, prej çka unë kam parë ka qenë e vetëdijshme.
Dhe çka pashë në raport te QKUK-së dhe aty ka qenë me vetëdije”, tha ajo.\n\nAjo u pyet edhe nga kryetari i trupit gjykues për terapinë që i kishte dhënë Clarës atë natë dhe cili është efekti i tij.
Për terapinë e dhënë nga vetë ajo, Gashi tha se vetëdija ruhet nga terapia që i është dhënë. “Po.
Tretje fiziologjike, tramadoll dhe metoklopamid. Është individuale si mundet me reaguar.
Po i ruhet vetëdija, mundet gjatë kohës varet çfarë lëndime ka.
E di që ka pasur gjakderdhje të brendshme, pasi që kam pyetur kolegët.
Terapia jonë nuk ka ndikuar në konfuzitetin e saj gjatë pyetjeve që kam bërë”, tha ajo.\n\nEndrit Nika akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila vdiq në QKUK si pasojë e lëndimeve të marra pas rënies nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë-Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 shkurt 2026, e kishte dënuar Nikën me 18 vjet burgim, por Gjykata e Apelit e kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe e kishte kthyer rastin në rigjykim.
Aktakuzën ndaj tij e ka ngritur Prokuroria Themelore në Prishtinë më 11 shkurt 2025.
Nika akuzohet se më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me të dashurën e tij, fillimisht e kishte goditur atë dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.\n\nSipas aktakuzës, përleshja kishte vazhduar edhe në dhomën e hotelit, ku Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë Urdangaray-n drejt qoshes së dhomës, nga ku ajo nuk kishte mundësi të largohej.
Prokuroria pretendon se ai e kishte nxjerrë kornizën e dritares dhe e kishte hedhur atë nga kati i gjashtë, si pasojë e së cilës ajo kishte pësuar lëndime që i shkaktuan vdekjen.
Nika ngarkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.