Rotary Club Peja do ta festojë 20-vjetorin e zyrtarizimit me një mbrëmje gala të shtunën, më 14 Nëntor 2026, në orën 20:00, në Hotel Dukagjini në Pejë.
Kjo ngjarje do të mblidhë anëtarë të klubit, përfaqësues të institucioneve dhe partnerë nga Kosova e jashtë saj për të nderuar dy dekada shërbimi dhe bashkëpunimi.
Sipas një njoftimi për media, nisma për ta sjellë Rotary-n në Kosovë ka filluar në Pejë, ku grupi iniciativ, i udhëhequr nga Dr.
Neshad R.
Albani, mbajti takimin e parë më 23 shkurt 2005.
Më 5 Nëntor të po atij viti, sipas datës lokale në Kosovë, u shënua pranimi i Kosovës në Rotary International. “Më 30 Qershor 2006, me mbështetjen e Rotary Club Podgorica dhe Indio Sunrise Rotary Club nga Kalifornia, Rotary Club Peja u bë klubi i parë Rotary i zyrtarizuar në Kosovë.
Më pas, klubi ka ndihmuar në themelimin e shumicës së klubeve Rotary në vend.
Në dy dekada, Rotary Club Peja ka realizuar mbi 100 projekte në Pejë dhe në mbarë Kosovën.
Ndër to janë instalimi i paneleve fotovoltaike në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për të zëvendësuar përdorimin e mazutit në lavanderi, dhurimi i një autoambulance për spitalin dhe përmirësimi i furnizimit me ujë e i kushteve sanitare në 13 shkolla.
Përmes një Granti Global të Fondacionit Rotary, klubi financoi 125 bursa për vajza, prej të cilave 80 për studente dhe 45 për nxënëse të shkollave të mesme.
Klubi ka mbështetur gjithashtu familjet e policëve të rënë në detyrë dhe po zbaton programin Frutopia për edukimin për paqe dhe të drejtat e njeriut në pesë shkolla fillore të Pejës,” thuhet në njoftim.
Gjatë mbrëmjes gala, do të ndahen mirënjohjet Paul Harris Fellow dhe do të bëhet njoftimi zyrtar se Rotary Club Peja ka arritur statusin 100% Paul Harris Fellow Club.