Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Forumin e Paqes në Paris, ku kontribuoi në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, së bashku me guvernatorin e Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Carlo Monticelli.
Gjatë diskutimit, Kurti theksoi rëndësinë e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik e shoqëror për ndërtimin e një paqeje afatgjatë, duke theksuar se këto aspekte nuk duhet të sakrifikohen për stabilitet.
Ai shprehu bindjen se qytetarët duhet të jenë përfituesit kryesorë të zhvillimit, ndërsa investimet në infrastrukturë dhe arsim cilësor janë thelbësore për përparimin e shoqërisë.
Kurti, duke folur për zhvillimin ekonomik të Kosovës, njoftoi se rritja e Bruto Produktit Vendor arriti 5.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2026 dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e lidhjes së arsimit me ekonominë, duke përmendur ngushtimin e diferencës mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët si një tregues të zhvillimit shoqëror.
Sipas tij, raporti që para kësaj qeverisjeje ishte 20 me 1, tani është 4 me 1.
Një pjesë të fjalës së tij, kryeministri ia kushtoi viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Ai theksoi se në vend ka rreth 20 mijë gra viktima të këtij lloji të dhune, që sipas tij, është përdorur si armë lufte nga aparati shtetëror i Serbisë.
Kurti theksoi se, përveç vënies para drejtësisë të përgjegjësve për këto krime, është jetike edhe trajtimi dhe rehabilitimi i viktimave.