Punëtorët e KEK-ut Protestojnë për Pagat dhe Kushtet e Punës

Punëtorët e KEK-ut kanë organizuar sot një protestë para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të korporatës në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për pagat dhe kushtet e punës.

Ata paralajmëruan se do të protestojnë sërish edhe javën e ardhshme, në të njëjtën orë dhe vend, dhe nuk përjashtojnë mundësinë e grevës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Xhelal Jashari, theksoi se kërkojnë dialog me menaxhmentin për të zgjidhur problemet që i preokupojnë punëtorët. “Dëshira e klasës punëtore është të hyjmë në grevë.

Ne iu themi se nuk po bëjmë shaka.

Ne ju themi se s’po kërkojmë lëmoshë, ju themi uluni, dialogoni dhe zgjidheni këto problemi një nga një, sepse na ka ardhur thika në asht, jemi lodhur duke pritur disponimin e menaxhmentit,” tha ai.

Jashari shtoi se nëse ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, nuk takohet me sindikatën e punëtorëve të KEK-ut, atëherë Kosova do të përballet me pasoja të rënda. “Të gjitha do t’i arrijmë të bashkuar, pa bashkim nuk ka rezultate.

Unë besoj fuqishëm, sot do t’iu drejtohemi ministres Artane Rizvanolli me kërkesë për takim.

Nëse nuk ka takim, e tërë Kosova do të jetë në terr,” tha ai.

Nënkryetari i Sindikatës së Punëtorëve të KEK-ut, Nexhmi Llumnica, theksoi se përmes kësaj proteste ata po shprehin pakënaqësitë e tyre. “Këtu jemi për të shprehur pakënaqësitë.

Ku mos me qenë të pakënaqur kur dëgjojmë rialokimin e mjeteve të buxhetit për 120 milionë euro, e që prej tyre merren 30 milionë euro për ndërmarrje publike. Çfarë kuptimi ka me na i marrë paratë neve e t’i jepen të tjerëve, e shtëpisë së vetë jo?” tha ai.

Ndërkohë, Ali Gashi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës, e quajti të drejta kërkesat e punëtorëve të KEK-ut. “Sot nuk kam ardhur për të shprehur solidaritet, kam ardhur për të ngritur zërin për punën, sakrificën tuaj dhe për padrejtësitë që përballeni çdo ditë,” tha Gashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *