Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka shprehur mbështetje të plotë për qëndrimin e Bashkimit Evropian në lidhje me ndryshimet e propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ajo është në përputhje të plotë me shqetësimet e shprehura nga BE-ja.
Në një reagim të shkurtër, Ambasada gjermane bëri të ditur se qëndron në të njëjtën linjë me deklaratën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila kishte paralajmëruar për pasojat e mundshme të këtyre ndryshimeve ligjore. “Ne pajtohemi plotësisht me këtë deklaratë të BE-së”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Gjermanisë.
BE-ja ka shprehur shqetësim për mundësinë e votimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se këto ndryshime ngrinin shqetësime serioze për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare të Kosovës dhe për respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit.
Në deklaratën e saj, BE-ja theksoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Gjithashtu, Brukseli ngriti shqetësime për kushtetutshmërinë e ndryshimeve të propozuara, duke kërkuar që para çdo miratimi të mundshëm të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.