Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, sot ka shprehur kritika ndaj BDI-së lidhur me keqpërdorimin e Badinterit.
Në profilin e tij në Facebook, Mexhiti thekson se BDI po përpiqet të bllokojë ligjin për gjuhën shqipe duke shfrytëzuar Badinterin. “BDI sot me krekosje po kërcënon se do ta bllokojë Ligjin për provimin e jurisprudencës në Parlament duke keqpërdorur Badinterin – parimin kushtetues që është ndërtuar si mekanizëm për të mbrojtur shqiptarët nga majorizimi.” Më tej, ai sqaron se “parimi i Badinterit është rezultat i negociatave për Marrëveshjen e Ohrit.
Palë negociuese në atë proces nuk kanë qenë partitë politike, por shqiptarët dhe maqedonasit.” Mexhiti thekson: “Prandaj: Parimi i Badinterit nuk është mekanizëm i ndërtuar që shqiptari ta bllokojë shqiptarin; Badinteri nuk është instrument për gara partiake mes partive shqiptare; Votimi i dyfishtë është bërë mekanizëm kushtetues për t’i mbrojtur shqiptarët nga majorizimi, jo për të majorizuar disa shqiptarë nga shqiptarë të tjerë.” Ai e përfundon duke thënë se “keqpërdorimi i Badinterit sot për interesa partiake rrezikon të shkaktojë një efekt domino nesër, kur çdo subjekt partiak mund të gjejë mënyra për ta manipuluar votimin e dyfishtë dhe për të mbivotuar shqiptarët.”