Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka theksuar se tani që sistemi One Stop Shop është funksionalizuar me Republikën e Kosovës, po ndërmerret hapi tjetër për të zbatuar këtë model kontrolli të përbashkët kufitar me Republikën e Shqipërisë.
Sipas Isenit, marrëveshja me Shqipërinë përfshin pesë vendkalime kufitare mes dy shteteve, me qëllim që qytetarët dhe transportuesit të nënshtrihen vetëm një herë kontrollit kufitar, duke eliminuar procedurat e dyfishta dhe duke shkurtuar kohën e pritjes.
Një nga risitë e kësaj marrëveshjeje është përfshirja e pikës kufitare të Qafë Thanës në sistemin e kontrollit të përbashkët hyrje-hyrje, ku procedurat kufitare do të realizohen vetëm një herë.
Iseni ka theksuar rezultatet e implementimit të sistemit One Stop Shop me Kosovën, duke nënvizuar se pritjet në kufi janë reduktuar ndjeshëm, ndërsa qarkullimi ka shënuar një rritje prej 50 për qind në krahasim me vitin e kaluar para aktivizimit të këtij sistemi.
Ai gjithashtu ka përmendur projekte të tjera infrastrukturore dhe energjetike, si Korridori 8, aksi Shkup–Bllacë, lidhja Tetovë–Prizren, si dhe interkonjeksionet energjetike me Kosovën dhe Shqipërinë.
Sipas Isenit, këto projekte janë pjesë e një vizioni për forcimin e lidhjeve rajonale dhe lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Shqipërisë.