Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, gjatë fjalimit të saj në seancën plenare të Kuvendit, ka publikuar një audio-incizim ku dëgjohet kryeministri Albin Kurti duke thënë se Qeveria do të punojë për uljen e çmimit të energjisë elektrike. “Ne do ta synojmë uljen e energjisë elektrike, sepse është tepër shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji që kemi”, ka thënë Kurti në incizimin e lëshuar nga Bajrami.
Pas publikimit të këtij incizimi, Bajrami e ka kritikuar ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke kërkuar që ajo të flasë për planet dhe masat konkrete për parandalimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. “Po na duhet herë pas here me i sjellë këto fakte, edhe pse qytetarët e Republikës e dinë, po siç po duket ju, kolegë deputetë, i keni harruar”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka theksuar se ministrja Rizvanolli duhet të raportojë për punën dhe rezultatet gjatë mandatit të saj. “Kishte qenë mirë tash të na i tregoni planet, si do ta parandaloni ngritjen e energjisë elektrike, e cila po paralajmërohet prej zyrtarëve të ZRRE-së në fillim të vitit tjetër, e tjera, po jo me fol për historinë…
Zonja ministre, sot bëhen 5 vjet, 7 muaj e 22 ditë që ju jeni ministre e këtij dikasteri.
Jo, është dashur 22 ditë, ju është dashur që të bëni diçka më tepër sesa të krahasoheni me të kaluarën”, ka përfunduar Bajrami.