Komuna e Pejës ka publikuar sot një sqarim nga Qendra për Punë Sociale (QPS) lidhur me raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm, i cili është realizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt më 25 tetor 2026.
Komuna thekson veprimet kryesore të ndërmarra nga QPS Pejë për të informuar opinionin publik mbi angazhimin institucional dhe rekomandimet e evidentuara në këtë raport. **Sqarim për opinionin publik lidhur me Raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë** Pas pranimit dhe shqyrtimit të Raportit të Inspektimit, Qendra për Punë Sociale në Pejë e konsideron të nevojshme të informojë opinionin publik rreth angazhimit institucional dhe veprimeve profesionale të kryera në trajtimin e rastit të rëndë. **ANGAZHIMI DHE VEPRIMET PROFESIONALE TË QPS-SË:** Raporti dokumenton një sërë veprimesh dhe intervenimesh që janë realizuar nga QPS Pejë.
Punonjësit socialë dhe profesionistët kanë vepruar në përputhje me mandatet dhe kompetencat ligjore, duke u ballafaquar me rrethana komplekse dhe të ndjeshme familjare.
Ndër veprimet kryesore të QPS Pejë përfshihen: 1. **Intervenimi fillestar dhe kujdestarinë 24-orëshe:** QPS ka reaguar ndaj kërkesës së Stacionit Policor duke angazhuar një punonjës social për kujdestari 24-orëshe.
Gjatë këtij intervenimi është realizuar bashkëbisedimi me fëmijën dhe janë vlerësuar rrethanat familjare. 2. **Vlerësimet profesionale dhe vizitat në terren:** Gjatë menaxhimit të rastit, janë bërë vizita në terren dhe janë vlerësuar gjendjet socio-ekonomike dhe emocionale të fëmijës. 3. **Bashkëpunimi me institucionet arsimore dhe shëndetësore:** QPS ka kërkuar raporte nga shkolla dhe qendrat shëndetësore për të vlerësuar gjendjen emocionale të fëmijës. 4. **Respektimi i interesit dhe vullnetit të fëmijës:** QPS ka marrë parasysh të drejtat e fëmijës për të shprehur mendimet e tij dhe ka rekomanduar përgatitje graduale psikologjike. 5. **Përfaqësimi profesional në procedurat gjyqësore:** QPS ka marrë pjesë në procedurat gjyqësore duke dorëzuar raporte dhe vlerësime për gjendjen e fëmijës. 6. **Reagimi emergjent pas ngjarjes tragjike:** Pas ngjarjes tragjike, QPS ka ndërmarrë veprime urgjente për sigurimin e mbrojtjes dhe përkujdesjes së fëmijës. 7. **Vazhdimësia e mbikëqyrjes dhe mbështetjes profesionale:** QPS vazhdon të monitorojë gjendjen e fëmijës edhe pas vendosjes së tij në një ambient të sigurt. **GJETJET E INSPEKTORATIT DHE MASAT PËR PËRMIRËSIM:** Raporti i Inspektimit gjithashtu identifikon çështje që kërkojnë përmirësim në aspektin administrativ dhe organizativ.
Disa nga këto çështje përfshijnë: plotësimin e formularëve standardë, respektimin e afateve për dorëzimin e raporteve dhe forcimin e kapaciteteve profesionale dhe njerëzore.
Qendra për Punë Sociale e Pejës do të trajtojë me seriozitet gjetjet dhe rekomandimet e Inspektoratit dhe do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për avancimin e procedurave të punës dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve sociale. **QËNDRIMI DHE PËRKUSHTIMI INSTITUCIONAL:** QPS Pejë është e përkushtuar në mbrojtjen e grupeve të cenueshme të shoqërisë dhe ofrimin e shërbimeve profesionale me përgjegjësi të plotë.
Profesionalizmi dhe interesi më i mirë i fëmijës mbeten parimet themelore të punës sonë institucionale.