Ngjarje tragjike në Klinë: Pacientja humb jetën pas trajtimit në QKMF

Policia e Kosovës ka njoftuar sot se një gruaje i është përkeqësuar gjendja shëndetësore pas trajtimit mjekësor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë.

Pas kësaj, ajo është dërguar me autoambulancë në Spitalin Rajonal në Pejë, ku mjekët e kanë konstatuar se pacientja ishte pa shenja jete.

Në lidhje me këtë rast, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë ka publikuar një njoftim zyrtar.

Njoftimi sqaron se pacientja, menjëherë pas fillimit të infuzionit, ka shfaqur një reaksion alergjik.

Sipas njoftimit, ajo është dërguar në urgjencën e QKMF-së, ku mjeku internist, në bashkëpunim me mjekët e tjerë, ka ndërmarrë trajtimin e nevojshëm.

Gjithashtu, njoftimi përmend procedurat që janë ndjekur.

Lexoni të plotë njoftimin, pa ndërhyrje: NJOFTIM ZYRTAR NGA QKMF “NËNË TËREZA” NË KLINË Kryetarit të Komunës së Klinës, Prof.

Dr.

Zenun Elezaj Drejtorit për Shëndetësi dhe mirëqenie sociale, z.

Agron Bacaj Ministrit të Shëndetësisë, Dr.

Arben Vitia, dhe të gjitha mediave në Kosovë Lidhur me rastin e vdekjes së pacientes pas dhënies së shërbimit shëndetësor në QKMF në Klinë Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) shpreh ngushëllime të thella për familjen e pacientes dhe njofton institucionet përkatëse, mediat dhe opinionin publik për rrjedhën e trajtimit mjekësor në këtë rast: Pacientja ka marrë shërbim specialistik te mjeku infektolog, i cili ka përshkruar terapi me infuzion.

Pas kësaj, ajo është drejtuar në njësinë e infuzioneve dhe ka filluar marrjen e terapisë.

Menjëherë pas fillimit të infuzionit, pacientja ka shfaqur një reaksion alergjik.

Ajo është dërguar në urgjencën e QKMF-së, ku mjeku internist, së bashku me mjekët e tjerë, ka ndërmarrë trajtimin e nevojshëm.

Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, pacientja është transferuar me autoambulancë drejt Pejës, e shoqëruar nga mjeku dhe infermieri.

Janë angazhuar edhe njësitë policore të Klinës për të përshpejtuar transportin për shkak të ngarkesës në trafik, në mënyrë që rasti të arrinte sa më shpejt në Spitalin Rajonal në Pejë.

Gjatë rrugës, është kryer reanimim kardiopulmonar, ndërsa në Pejë, pacientja është intubuar.

Megjithë masat intensive dhe terapeutike të ndërmarra, ajo ka ndërruar jetë.

Rasti aktualisht është nën hetim nga institucionet kompetente, dhe QKMF do të bashkëpunojë me organet përkatëse duke ofruar të gjithë dokumentacionin mjekësor të kërkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *