Një kontratë e re kolektive pritet të nënshkruhet së shpejti nga Ministria e Arsimit dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK).
Sipas kryetarit të SBASHK, ministri Hajrulla Çeku ka shprehur gatishmërinë për një marrëveshje të tillë dhe ka theksuar benefitet që pritet të sjellë.
Megjithatë, komunat kërkojnë ndihmë në formën e ndarjes së një vije buxhetore, për t’u siguruar që kontrata e re të mos bëhet një barrë financiare për to.
Nënshkrimi i kontratës së re kolektive është një nga kërkesat kryesore të SBASHK.
Sipas SBASHK, ministri Hajrulla Çeku i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, duke shprehur gatishmërinë për të hartuar këtë kontratë.
Por cilat janë kërkesat që SBASHK dëshiron të përfshijë? “Do të mundohemi të kemi ndonjë benefitet të ri, sidomos për çështjen e mëngjesit, e cila aktualisht është 2 euro.
Me rritjen e çmimeve, ajo 2 euro ka humbur vlerën dhe mund të kërkojmë një vlerë tjetër për shujtën.
Po ashtu, do të vazhdojmë të kërkojmë tri paga me rastin e pensionimit dhe pagat jubilare,” tha Rrahman Jashari për Tëvë1.
Zbatimi i kontratës kolektive gjatë viteve të fundit ka hasur në kundërshtime nga komunat, të cilat e kanë ndjerë barrën financiare.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, shprehet se nga vitet 2022 deri në 2025, kjo kontratë ka shkaktuar humbje prej 14 milionë eurosh për komunën e Vushtrrisë. “Këto 14 milionë euro për ne janë më shumë se dy vite buxhet për investime kapitale.
Kemi 30 rrugë lokale që presin asfaltim, si dhe projekte të tjera që janë vonuar,” tha Idrizi.
Ai po ashtu theksoi se për këtë arsye kanë ndjekur edhe rrugët ligjore. “Madje, kemi paditur Ministrinë e Arsimit, pasi këto para na janë marrë padrejtësisht.
Nëse ka ndonjë përgjegjësi, ato duhet të planifikojnë buxhetin dhe të ndajnë vijën buxhetore për të mbuluar këto shpenzime,” zbuloi Idrizi.
Nga ana tjetër, SBASHK thekson se sipas kontratës kolektive, përgjegjësia për pagesën e mësimdhënësve është në duar të Drejtorisë së Arsimit. “Nëse komunat do ta kishin menaxhuar këtë çështje me kohë dhe do të kishin planifikuar buxhetin, kjo situatë nuk do të ishte kaq problematike.
Janë grumbulluar me mijëra raste në Gjykatë dhe kostoja është e lartë,” përfundoi Jashari.
Ish-ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, kishte shkëputur kontratën kolektive të nënshkruar në vitin 2021 nga ish-ministri Ramë Likaj.