Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka hapur hetime lidhur me mënyrën se si institucionet përgjegjëse e kanë trajtuar rastin e saj para tragjedisë.
Arlinda kishte kërkuar vazhdimisht mbrojtje nga institucionet, duke shprehur frikën për jetën e saj dhe duke denoncuar dhunën në familje.
Pavarësisht kërkesave për ndihmë, ajo u vra, ndërsa për rastin dyshohet ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Më 22 tetor 2026, tri ditë para vrasjes, Arlinda iu drejtua kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve.
Një ditë më pas, më 23 tetor, një hetues policor kërkoi nga drejtuesit e Policisë në Pejë që Arlinda të vizitohej çdo ditë nga patrullat policore dhe të mbahej një komunikim i rregullt me të, për shkak të situatës së tensionuar familjare.
Më 25 tetor, ditën kur u vra, ajo raportoi sërish në polici për shkeljen e urdhrit mbrojtës nga bashkëshorti i saj.
Pas raportimit, bashkëshorti u ndalua për 48 orë, por pak minuta pas kthimit nga policia, Arlinda u vra në shtëpinë e saj në Vitomiricë të Pejës.
Pas ngjarjes, institucionet nisën hetimet për të zbardhur jo vetëm rrethanat e vrasjes, por edhe veprimet dhe mosveprimet e zyrtarëve që ishin marrë me rastin e saj.
Më 14 nëntor 2026, Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare publikoi gjetjet e raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë.
Sipas raportit, në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt janë evidentuar një varg mangësish dhe shkeljesh, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, mungesën e monitorimit dhe moszbatimin e procedurave standarde për menaxhimin e rastit.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me mosdorëzimin me kohë të raportit të kërkuar nga Gjykata.
Inspektorati ka konstatuar se menaxherja e rastit nuk kishte marrë pjesë në seancën gjyqësore të 5 tetorit, pa u evidentuar një arsyetim për mungesën e saj.
Po ashtu, QPS-ja nuk kishte realizuar monitorimin e kërkuar, pavarësisht përgjegjësive që kishte.
Divizioni i Inspektimit ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës që të marrë masa disiplinore ndaj menaxheres së rastit dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale.
Ministria gjithashtu ka kërkuar rritjen urgjente të numrit të stafit profesional të licencuar në QPS-në e Pejës, duke marrë parasysh numrin e rasteve dhe territorin që mbulon kjo qendër.
Pas publikimit të gjetjeve, Komuna e Pejës, përmes Qendrës për Punë Sociale, ka sqaruar se gjatë menaxhimit të rastit kishte ndërmarrë veprime profesionale, duke përfshirë angazhimin e punonjësve socialë dhe vizitat në terren.
Megjithatë, ata kanë pranuar që gjetjet e Inspektoratit kërkojnë përmirësim në aspektin administrativ, organizativ dhe procedural.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur masa të tjera institucionale.
Inspektorati Policor i Kosovës kishte rekomanduar suspendimin e 11 zyrtarëve policorë dhe hetimet janë zgjeruar në drejtim të përgjegjësisë institucionale.
Një komision hetimor parlamentar është formuar gjithashtu për të shqyrtuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse në trajtimin e rastit.