Gjatë periudhës 9–14 nëntor 2026, janë raportuar tetë raste të dhunës në familje në disa qytete të Kosovës.
Sipas Policisë së Kosovës, këto raste janë regjistruar në Prishtinë, Podujevë, Gjakovë dhe Malishevë, dhe përfshijnë dhunë fizike, psikike, kanosje dhe raste të përsëritura të dhunës ndaj familjarëve.
Në Prishtinë, më 14 nëntor, është arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj prindit të tij.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari u lirua dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Një rast tjetër është raportuar në Podujevë, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator, katër fishekë dhe një thikë.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Po ashtu, në Prishtinë është raportuar një rast tjetër ku një grua dyshohet se është sulmuar fizikisht nga ish-bashkëshorti i saj, i cili kishte lënë në rrugë pa përkujdesje edhe tre fëmijët e tyre të mitur.
Gruaja dhe fëmijët janë dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim nga Policia.
Rastet e dhunës në familje janë regjistruar gjithashtu në Gjakovë.
Më 14 nëntor, një grua raportoi se ishte përballur vazhdimisht me dhunë fizike dhe psikike nga djali i saj.
Ajo ka refuzuar strehimin, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Një tjetër rast është raportuar në Gjakovë, ku një grua dyshohet se është kanosur përmes telefonit nga personi me të cilin bashkëjeton.
E dyshuara është arrestuar dhe më pas është liruar, ndërsa viktimës i është lëshuar urdhër mbrojtës emergjent.
Policia gjithashtu ka arrestuar një person tjetër në Gjakovë, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje.
Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në Malishevë, është raportuar një rast i dhunës psikike, ku një grua dyshohet se është fyer dhe kanosur nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.