Forca e Kosovës (KFOR) do të organizojë gjatë ditëve në vazhdim ushtrimin ushtarak “Golden Sabre” në Kampin Vrella.
Në këtë ushtrim do të marrin pjesë edhe Policia e Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, ky ushtrim do të realizohet si pjesë e aktiviteteve të vazhdueshme trajnuese të KFOR-it.
Qëllimi është forcimi i koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të sigurisë.
Gjatë zhvillimit të këtij aktiviteti, banorët e zonës përreth Kampit Vrella do të mund të vërejnë një prani të shtuar të personelit ushtarak dhe automjeteve.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ky aktivitet është i planifikuar dhe synon avancimin e ndërveprueshmërisë ndërmjet pjesëmarrësve, si dhe forcimin e aftësive të tyre për të vepruar në mënyrë efektive së bashku.
Në këtë ushtrim, institucionet pjesëmarrëse do të angazhohen në përmbushjen e roleve dhe përgjegjësive të tyre përkatëse si reagues të sigurisë.