Reagimi i Avni Islamit për Takimin e Listës Studentore me Ambasadorin Rus

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka shprehur mendimin e tij lidhur me takimin e përfaqësuesve të Listës Studentore, Dejan Shoshkiq dhe Miodrag Kërmar, me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko.

Islami ka vlerësuar se ky takim tregon orientimin politik të Listës Studentore për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Federatën Ruse, sidomos sa i përket çështjes së Kosovës. “Takimi i përfaqësuesve të Listës Studentore me ambasadorin rus në Serbi dëshmon orientimin politik të kësaj liste drejt vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Federatën Ruse, veçanërisht në raport me çështjen e Kosovës”, ka thënë Islami.

Ai theksoi se gjatë takimit është riafirmuar mbështetja ruse për politikën e Serbisë ndaj Kosovës, dhe përfaqësuesit e Listës Studentore janë zotuar se Serbia, edhe nën qeverisjen e tyre, nuk do t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë.

Nga këndvështrimi i sigurisë, Islami e ka cilësuar këtë zhvillim si shqetësues për Kosovën. “Shqetësues është fakti se Lista Studentore konfirmon vazhdimësinë e politikës së Beogradit kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në përkrahjen diplomatike të Moskës”, ka theksuar ai.

Sipas Islamit, marrëdhënia mes Beogradit dhe Moskës krijon mundësi për koordinim të mëtejshëm në platformat ndërkombëtare, me qëllim për të kundërshtuar subjektivitetin shtetëror të Kosovës. “Kjo marrëdhënie krijon hapësirë për koordinim të mëtejshëm ruso-serb në platformat ndërkombëtare, me synim kundërshtimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës dhe pengimin e konsolidimit të pozitës së saj ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e tij.

Në përfundim, Islami ka vlerësuar se takimi nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në qëndrimet politike të Serbisë ndaj Kosovës, por vazhdimësi të politikës së deritanishme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *