Një 42-vjeçar shqiptar është në rrezik për jetën në Maltë, pasi dyshohet se ka gëlltitur një sasi droge gjatë përpjekjes për t’i shpëtuar arrestimit nga policia.
Ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 11:00 në zonën e Gjirit të Shën Palit, konkretisht në rrugën Triq il-Halel, ku policia ka ndaluar një automjet për një kontroll rutinë, pasi ka vërejtur se dy personat brenda tij nuk kishin vendosur rripat e sigurimit.
Gjatë kontrollit, efektivët kanë zbuluar se pasagjeri kishte me vete një substancë që dyshohet të jetë lëndë narkotike. 42-vjeçari ka kundërshtuar arrestimin dhe ka tentuar të largohet.
Gjatë përleshjes me policinë, ai dyshohet se gëlltiti një sasi të substancës narkotike.
Ai është transportuar menjëherë në spitalin Mater Dei, ku mjekët e kanë konstatuar në gjendje të rrezikshme për jetën.
Edhe drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet, por është arrestuar pak më vonë dhe aktualisht po mbahet në paraburgim policor.
Sipas policisë, të dy personat janë shtetas shqiptarë, përkatësisht 42 dhe 40 vjeç.
Gjatë kontrollit është gjetur gjithashtu një sasi e konsiderueshme kokaine e dyshuar, si dhe dy thika.
Gjatë operacionit, një rreshter policie ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë ndihmë mjekësore në një qendër shëndetësore.
Hetimet për ngjarjen vazhdojnë.