Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka shprehur mendimin e tij lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe “Oj Kosova, Kosova” në një aktivitet që ka ndodhur në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Tahiri ka kritikuar mënyrën se si Kosova është trajtuar, duke e lidhur këtë situatë me qasjen e pushtetit ndaj Serbisë. “Kur e kuptojnë se ke ardhur në pushtet me premtime e mashtrime, se je fleksibil dhe lëshon pe ku mundesh e ku s’mundesh, s’ke pse të çuditesh që edhe këngët t’i zgjedhin e t’i lëshojnë në Bruksel, ashtu siç janë kompozu e dakordu në Beograd!”, ka shkruar Tahiri.
Ai e ka cilësuar këtë rast si një gabim të madh të Bashkimit Evropian, duke kërkuar kërkimfalje nga BE-ja dhe dorëheqje në Prishtinë. “Gabim i madh i BE-së, duhet kërkim falje, e në Prishtinë dorëheqje”, ka theksuar më tej Tahiri.
Reagimi i tij vjen pas interpretimit të muzikës së këngës “Oj Kosova, Kosova” gjatë mbrëmjes hapëse të Forumit të Zgjerimit të BE-së, një aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian nën udhëheqjen e komisioneres për zgjerim, Marta Kos.